02/11/2021 02/11/2021 Shën Andon Omologjeti është ndër figurat kryesore pohuese dhe mbrojtëse të të vërtetave të besimit orthodhoks në periudhën e dytë të luftës dhe thyerjes së ikonave (815-843), që në historinë e Kishës së Krishterë njihet Ikonomahia ose Ikonoklastia. Ikonoklastia, që zgjati nga viti 726-843, tronditi prej dekadash unitetin e Krishterimit në Perandorinë Romane/Bizantine, në lindje...
02 Νοεμβρίου, 2021 - 14:42

Shën Andon Omologjeti (Pohuesi, Konfesori), Mitropolit i Durrësit e më pas Kryepiskop i Selanikut, + 2 Nëntor 844.

Διαδώστε:
Shën Andon Omologjeti (Pohuesi, Konfesori), Mitropolit i Durrësit e më pas Kryepiskop i Selanikut, + 2 Nëntor 844.

Shën Andon Omologjeti është ndër figurat kryesore pohuese dhe mbrojtëse të të vërtetave të besimit orthodhoks në periudhën e dytë të luftës dhe thyerjes së ikonave (815-843), që në historinë e Kishës së Krishterë njihet Ikonomahia ose Ikonoklastia.
Ikonoklastia, që zgjati nga viti 726-843, tronditi prej dekadash unitetin e Krishterimit në Perandorinë Romane/Bizantine, në lindje dhe perëndim (deri në vitin 1054 ishte një Kishë e vetme e krishterë në të gjithë botën).
Krishterimi nuk ishte armiqësor ndaj çdo figurimi ndjesor estetik të botës mbinatyrore. Në të vërtetë, arti i krishterë u shfaq që prej shek. I, si ndihmëse e natyrshme e tij, duke pikturuar historinë e shpëtimit, që nga Krijimi i botës deri në Ardhjen e Dytë të Krishtit. Kështu Krishterimi i dha ikonës cilësi të dyfishtë: si mjet plotësues për katekizmin e besimtarëve dhe objekt nderimi në adhurimin kishtar. Ikona mësonte shpesh të pashkolluarit, ushqente dashurinë për Perëndinë si edhe nderimin ndaj të përzgjedhurve të Perëndisë (shenjtorëve). Si objekt nderimi ajo synonte të nxiste dhe të ndriçonte devotshmërinë dhe shprestarinë e besimtarëve. Me mishërimin e Birit të Perëndisë, duke marrë trup si ne njerëzit, bëhej e mundur që Perëndinjeriu, Jisu Krishti, të ikonizohej si njeri, pa harruar Dhiatën e Vjetër që urdhëronte të mos fantazoheshin e të ikonizoheshin gjërat hyjnore. Kështu ikona e tij nuk paraqet natyrën hyjnore, por vetëm atë njerëzore. Prandaj, ikona nderohet dhe nuk adhurohet. Ky është edhe vendimi i Sinodit të 7-të Ekumenik, që u mblodh në Nikea (sot në Turqi), në vitin 787, për të mbrojtur mësimin dhe rëndësinë e ikonave. Pra, ikona na ndihmon neve në adhurimin tonë drejtuar Perëndisë Triadik, Atit, Birit dhe Shpirtit të Shenjtë.
Për figurën e këtij pohuesi të besimit nuk kemi shumë të dhëna. Një burim tepër i rëndësishëm për jetën e tij është një fragment që ndodhet në jetëshkrimin e shenjtores oshënare Theodhora (5 prill) nga Selaniku. Andoni kishte afrimitet fisnor me Oshënaren Theodhora, e cila kishte lënë bijën e saj Theopisti, si murgeshë tek Ekaterina (motra e Shën Andonit) që ishte igumene e manastirit të vogël “Ungjillor Llukai”.
Andoni pasi mësoi që i vogël Shkrimet e Shenjta dhe mori më vonë thirrjen murgjërore, e veshi veten e tij me të gjitha llojet e virtyteve, duke studiuar vazhdimisht Shkrimin e Shenjtë dhe duke nënshtruar çdo mendim në bindjen e Krishtit. Arsimimi dhe dëshira e Andonit për dituri nuk kufizohej vetëm tek tekstet e shkrimtarëve të krishterë, por zgjerohej edhe më tej në formimin e tij të përgjithshëm enciklopedik, duke e ngritur më lart nivelin e shpjegimit dogmatik.
Të gjitha këto patën si rezultat zgjedhjen e tij në fronin e Mitropolisë së Durrësit. Kjo zgjedhje mendohet të jetë bërë më përpara vitit 815, në kohën e ripërtëritjes së Ikonoklastisë (pra, në periudhën e dytë të luftës kundër ikonave), që zë fill 2 vjet pas ngjitjes së Leonit të 5-të Armenit në fronin perandorak (813-820).
Një burim mjaft i rëndësishëm për të në këtë periudhë janë letrat e shenjtorit oshënar Theodhor Studitit (11 nëntor) (†826), figurë e shquar udhëheqëse e ikonadashësve, drejtuar Andonit të Durrësit.
Në letrën e parë, 462, që i përket përpara vitit 815, Theodhori i përgjigjet Andonit për ngjarjen në lidhje me të drejtën kanonike, letër e cila karakterizohet nga një ton i ngrohtë dhe një prirje lavdërimi drejtuar personit të Andonit, duke shfaqur një vlerësim të veçantë dhe nderim për të. E njëjta frymë dallohet edhe në letrën e dytë, 542, që mendohet të jetë e vitit 826 në kohën e perandorit Mihail 2-të.
Një informacion i ndërsjelltë për Andonin, gjatë kohës së tij në Mitropolinë e Durrësit, gjendet edhe në letrën 543 të po këtij oshënari drejtuar murgut Dionis, i cili më parë kishte pranuar këshilla prej Atit tonë mik të shtrenjtë të Perëndisë dhe Mitropolit të Durrësit gjatë herezisë së Ikonoklastisë.
Kleriku Grigor, në jetëshkrimin e Shën Theodhorës, pas fragmentit për Andonin tregon përndjekjen e ashpër të perandorit Leont ndaj ikonodashësve dhe mes të tjerash përqendrohet tek fjalimi kundërshtues me bazë kristologjike që mbajti Andoni përpara perandorit, i cili fillon kështu:
“O perandor, unë nuk dua të përdor fjalë blasfemuese kundër Perëndisë sonë të vërtetë Jisu Krishtit, dhe as nuk dua ta ofendoj atë me vepra, ashtu siç bëjnë grupi i ikonoklastëve, të cilët nuk kanë frikë, që me guxim e fjalë të pabesa dhe arsyetime t’i japin emrin e idhullit ikonës së nderuar të Krishtit, përmes së Cilit jemi shpëtuar nga gabimi i adhurimit të idhujve.
Sepse unë e di, se nderimi i imazheve është nderimi i kushtuar atyre që janë pikturuar në to, ashtu si edhe ç’nderimi i kalon po të njëjtave imazhe…
dhe njerëzit e dinë se si t’ia japin nderimin e duhur ikonave të shenjta dhe se si përmes tyre t’ia ofrojnë nderimin dhe adhurimin Krishtit…”.
Përgjigjja e perandorit, pas pohimit të besimit (omologjisë) dhe qëndrimit të guximshëm të Andonit, ishin torturat e egra, që i sollën plagë të pashërueshme dhe tronditën shëndetin e tij dhe në fund internimin.
Pas ngjitjes të Mihailit të 2-të (820-829) në fronin perandorak, në prag të Krishtlindjes së vitit 820, Andonin e thirrën të kthehej prej internimit, ndërsa pas 20-vjetësh e zgjedhin Kryepiskop të Selanikut.
Mirëpo koha e tij në krye të kësaj Mitropolie ishte shumë e shkurtër, saqë s’mundi dot të kryente as edhe detyrat e tij liturgjike kryepiskopale, përveç dorëzimit të një kleriku. Vdekja e tij oshënare ndodhi pak muaj pas Rivendosjes së Ikonave, më 2 nëntor 844.
Tregimit i klerikut Grigor vazhdon më pas me një informacion tepër të rëndësishëm për varrosjen e trupit të Andonit në kishëzën e Shën Joan Pagëzorit, ngjitur në krahun e majtë të kishës së Shën Dhimitër Mirovlitit, në Selanik. Ai përmend se pas 46 vjetësh nga vdekja e Andonit, do të varrosej një tjetër kryepiskop i Selanikut (Metodi) në varrin e tij, kjo gjë solli si rezultat zbulimin e një mrekullie përpara të gjithë të pranishmëve (mes të cilëve edhe vetë Grigori) trupin e paprishur të Andonit, i veshur me stolitë kryepriftërore.
Në vazhdim ai përmend si të dhëna, që vërtetojnë shenjtërinë e Kryepiskopit Andon, pohimin e besimit orthodhoks dhe mësimin për nderimin e ikonave të shenjta (të cilin e vërteton me citimin e fjalimit kundërshtues ndaj perandorit Leon dhe me paprishjen e trupit të tij. Bëhet fjalë për kritere mjaft të përhapura të shenjtërimit gjatë kohës së Ikonoklastisë dhe pas saj.
Emri i Andonit është shkruar në katalogët më të rinj të shenjtorëve të Selanikut dhe në shërbesën kishtare me himne kushtuar atyre.
Ikona e vetme e njohur e Shën Andon Omologjetit ndodhet e pikturuar, në stilin e sotëm ikonografik, në një kolonë të kishës mitropolitane të Shën Grigor Pallamait, në Selanik.
Durrsakët e kujtojnë dhe e nderojnë këtë figurë historike kishtare të qytetit dhe dioqezës së tyre.

Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë

H αναδημοσίευση του παραπάνω άρθρου ή μέρους του επιτρέπεται μόνο αν αναφέρεται ως πηγή το ORTHODOXIANEWSAGENCY.GR με ενεργό σύνδεσμο στην εν λόγω καταχώρηση.

google-news Ακολούθησε το ORTHODOXIANEWSAGENCY.gr στο Google News και μάθε πρώτος όλες τις ειδήσεις.

Διαδώστε:
Ροή Ειδήσεων