Ndërroi jetë psalti Jorgji (Xhoxhi) Doçi
Në datën 1 dhjetor 2021 ndërroi jetë në moshën 75-vjeçare Xhoxhi (Jorgji) Doçi, psalti i kishës “Ungjillëzimi i Hyjlindëses” në Tiranë. Ai ishte i shtruar në një spital të Austrisë, si pasojë e infektimit me covid-19 dhe komplikacioneve që pasuan.
Xhoxhi (Jorgji) Doçi lindi në Tiranë, më 26 shkurt të vitit 1946. Ishte i biri i saqellar stavrofor atë Petro Doçit, nga lagjja “Kala” e Elbasanit, një nga klerikët e dalluar të kryeqytetit, që ndërroi jetë para rifitimit të lirisë së besimit. Atë Petroja kishte 3 djem dhe kishte ardhur në Tiranë në vitin 1939, duke u bërë kryedhjakon i Kryepiskopit Kristofor Kissi. Përkushtimin e tij të veçantë te Perëdia ai u kaloi edhe të bijve. Që i vogël Xhoxhi shërbente në kishë, duke shkuar gjithmonë pas të atit. Pas shkollës së mesme, si djalë prifti, nuk mundi të ndiqte shkollë e lartë dhe u fut në punë. Dallohej për zërin e bukur dhe aftësitë muzikore, ndaj u bë pjesë e Ansamblit të Ushtrisë, ndërsa në vitin 1971 e morën në korin e Teatrit të Operës dhe Baletit, ku punoi derisa doli në pension.
Xhoxhi e kishte ruajtur gjithmonë zjarrin e besimit dhe traditën orthodhokse të familjes, ndaj menjëherë, pas lirisë së besimit, u afrua me entuziazëm në Kishë dhe kontribuoi si psalt dhe në koret që u ngritën. Më 31 mars 1991, bashkë me Dhimitër Bedulin dhe Koço Fështin, psali në Liturgjinë e parë Hyjnore në kishën e Ungjillëzimit në Tiranë.
Më 17 korrik 1991 ai priti me shumë gëzim dhe psali në vizitën e parë të Kryepiskopit Anastas në kishën e Ungjillëzimit. Në vitet e para i shërbeu si psalt Fortlumturisë së Tij në meshat që bëheshin anembanë vendit. Xhoxhi mori pjesë në korin e ringritur të Kishës, drejtuar në fillim nga dirigjenti Eno Koço dhe nga viti 1993 e në vazhdim, edhe në Korin Bizantin të Kishës.
Shërbesa e varrimit do të kryhet nesër, 4 dhjetor 2021, në kishën “Ungjillëzimi i Hyjlindëses”, Rr. Kavajës, ku ai kontribuoi për 30 vjet.
I përjetshëm qoftë kujtimi i tij!
H αναδημοσίευση του παραπάνω άρθρου ή μέρους του επιτρέπεται μόνο αν αναφέρεται ως πηγή το ORTHODOXIANEWSAGENCY.GR με ενεργό σύνδεσμο στην εν λόγω καταχώρηση.
Ακολούθησε το ORTHODOXIANEWSAGENCY.gr στο Google News και μάθε πρώτος όλες τις ειδήσεις.










