E Diela e 5-të e Llukait
E Diela e 5-të e Llukait (III)
(Llk. 16:19-31)
Zemërngurtësia do të ndëshkohet
Kujtohu, se ti i more gjithë të mirat e tua në jetën tënde,
edhe Llazari gjithashtu të këqijat.
Shtëpia luksoze e të pasurit gumëzhinte shpesh nga festat dhe kremtimet. I zoti i shtëpisë, i veshur me rroba të shtrenjta, mburrej për pasurinë dhe lumturinë e tij. Para derës së oborrit të tij ndodhej një njeri tjetër, që vuante, por i pasuri nuk i kushtoi kurrë rëndësi të varfrit Llazar, që përpiqej të ngopej “me thërrimet që binin nga tryeza e të pasurit”. Çfarë do t’i kushtonte t’i jepte një pjatë gjellë Llazarit, ndërsa shpenzonte tërë ato para? Çfarë do të ishin për të disa rroba të thjeshta për të varfrin? Por i pasuri nuk dëshiron as ta mendojë këtë çështje. Për të, Llazari nuk ekziston. Ekziston vetëm vetja e tij, shijimet dhe qejfet me shokët e miqtë. Një ditë, i harruar në këtë mënyrë, Llazari u shua në vetminë e tij.
Ndër mesazhet e shumta të paravolisë, le të qëndrojmë në ato më kryesoret:
Zemërngurtësia dhe pasojat e saj
Një njeri ndien trishtim të thellë kur mendon se kjo histori është tipar karakterizues, madje simbol i shoqërisë sonë! Me disa ndryshime të vogla, por me të njëjtin tragjizëm. Të pasurit tregohen indiferentë ndaj privimit dhe fatkeqësisë së vëllezërve të tyre. Ata shpërdorojnë shumë para për qejfe, ndërsa mbyllin në mënyrë hermetike zemrën ndaj dhimbjes të së afërmit, të punëtorit, të kolegut të tyre. Shpesh shpenzojnë shuma marramendëse për luks dhe zbavitje të shfrenuara. Por numërojnë edhe një euro, nëse ftohen të ndihmojnë për një vepër filantropike. Dhe në fakt as nuk e numërojnë, thjesht nuk e japin.
Por, vëllezërit e mi, duhet të kemi kujdes, sepse indiferenca dhe zemërngurtësia nuk karakterizojnë vetëm të pasurit. Ka shumë mundësi që, në çastin kur kritikojmë zemërngurtësinë e të tjerëve, të sillemi edhe ne ftohtë dhe me indiferentizëm ndaj nevojave të të afërmit. “Je i varfër?”- thoshte shën Vasili në një predikim, kur zia e bukës kishte pllakosur Qesarinë. – “Por ka edhe më të varfër sesa ti. Ti ke ushqime për dhjetë ditë, ai ka vetëm për një. Si njeri shpresëtar dhe i dhembshur… mos ngurro të japësh”. Këmbëngulja e Etërve të Kishës në çështjen e zemërngurtësisë është karakteristike.
Gjithashtu, një herë tjetër, kur shën Vasili fliste për të pasurit zemërgur, tha: “Nëse atë që zhvesh një njeri të veshur mirë e quajmë kusar, atë që lë një njeri tjetër lakuriq, ndërkohë që mund t’i ofrojë rroba, përse do ta quajmë ndryshe?”. Le ta shqyrtojmë me kujdes sjelljen 87 tonë, se mos vallë e injorojmë në mënyrë të vullnetshme dhimbjen dhe nevojën e njerëzve që jetojnë pranë nesh; se mos edhe ne tregohemi indiferentë për kaq shumë fatkeqësi që shohim përreth. Në këtë rast pasojat do të jenë të frikshme.
Njësoj si te paravolia, që vazhdon më tej dhe na thotë: “Vdiq edhe i pasuri dhe u varros”. Askush, sado i pasur të jetë apo edhe perandor, nuk arrin të korruptojë vdekjen me para. Dhe në Hadh, i pasuri ishte “në mundime”.
Justifikime
Në dialogun mjaft shprehës midis të pasurit që mundohet dhe Abrahamit, i pasuri kërkon të njoftohen të afërmit e tij për ato që ndodhin pas vdekjes; dhe kjo bëhet me ngjalljen e Llazarit prej së vdekurish. Ky është një justifikim jo i drejtpërdrejtë që bën ai, duke thënë se edhe ai, po të kishte parë një mrekulli të tillë, nuk do të jetonte siç jetoi. Por përgjigjja e Abrahamit ia heq çdo lloj justifikimi: “Në qoftë se nuk dëgjojnë Moisiun dhe profetët, as nëse ngjallet ndonjë nga të vdekurit, s’kanë për t’u bindur”. Ata që tregohen indiferentë ndaj zbulesës së vullnetit të Perëndisë, i cili ekziston në Shkrimin e Shenjtë, çfarëdo që të shikojnë, nuk do të besojnë.
Me këto fjalë, Zoti e vulos paravolinë e Tij, duke mbyllur njëkohësisht edhe gojët e gjithë atyre që përpiqen me argumente naive të justifikojnë jetën e tyre.
Kur dëgjojnë të vërteta të tilla, ata që tregohen jobesnikë ndaj Krishtit, ngrenë supet: “Kush i ka parë gjëra? Çfarë mund ta vërtetojë këtë?”. Por nuk bëhet fjalë të besojnë, pavarësisht se çfarë mund të shohin me sytë e tyre. Edhe farisenjtë kërkonin “shenja” nga Jisui. Ai bëri shumë mrekulli. Mos vallë i besuan për hir të tyre? Ata shpifnin kundër veprës së Tij me shpjegimin se “me anë të të parit të demonëve i nxjerr demonët” (Matth. 9:34). Në fund erdhi ngjallja e Llazarit. Mos vallë reagimi i tyre ndryshoi? Përkundrazi, vendosën të përshpejtonin planin e tyre për ta vrarë Jisuin. E kryqëzuan. Por pas tri ditësh, Ai u ngjall, sikundër u kishte thënë më parë. Çfarë prove më të mirë donin? U bindën? Jo, përkundrazi, mobilizuan tërë ligësinë e tyre për të mohuar mrekullinë.
Të gjitha këto, të paktën, le të na bindin ne. Fajin për pabesinë dhe zemërngurtësinë e njerëzve nuk e ka mungesa e provave të mjaftueshme për jetën tjetër apo për Perëndinë. Në vend që të kërkojmë nga Perëndia të na flasë me “shenja” të reja mbresëlënëse, le të çlirohemi nga zemërngurtësia dhe le të hapim veshët për të dëgjuar zërin e Tij të tërëqartë, që është në çdo faqe të Shkrimit të Shenjtë. Të dëgjojmë himnin e mrekullueshëm të lavdërimit, që këndon harmonikisht çdo krijesë e Tij.
* * *
Perëndia na shikon dhe do të vijë dita kur do të thotë fjalën e Tij të fundit. Do të japë drejtësi në mënyrë përfundimtare. Duhet të kemi kujdes për cilësinë e sigurisë dhe të komoditetit ku jetojmë, për mentalitetin që jetojmë, për mënyrën se si sillemi me ata që janë në nevojë. Zemërngurtësia nuk do të mbetet pa u ndëshkuar.
Shkëputur nga Libri:
RREZE NGA DRITA E UNGJILLIT
Vëllimi I
Vjeshtë – Dimër
Autor: † ANASTAS JANNULLATOS
Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë
Profesor Emeritus i Universitetit Kombëtar të Athinës
Anëtar Nderi i Akademisë së Athinës
H αναδημοσίευση του παραπάνω άρθρου ή μέρους του επιτρέπεται μόνο αν αναφέρεται ως πηγή το ORTHODOXIANEWSAGENCY.GR με ενεργό σύνδεσμο στην εν λόγω καταχώρηση.
Ακολούθησε το ORTHODOXIANEWSAGENCY.gr στο Google News και μάθε πρώτος όλες τις ειδήσεις.










