Vazhdon projekti i Diakonia Agapes për mbështetjen e të kthyerve nga emrgracioni
Zyra sociale dhe e emergjencave “Shërbimi i Dashurisë” (Diakonia Agapes), e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, që nga data 1 nëntor 2020 ka filluar zbatimin e projektit “Riintegrimi i të kthyerve nga emigracioni dhe investimi për ta në Shqipëri” (RE-IN-VEST II, në disa bashki të vendit. DA ka vepruar në Belsh, Cërrik dhe Përrenjas.
Qëllimi i projektit është rritja e të ardhurave përmes fuqizimit socio-ekonomik për të kthyerit nga emigracioni, si dhe të përmirësojë kushtet e jetesës së tyre, duke lehtësuar aksesin ndaj shërbimeve sociale. Projekti vendos në qendër të tij familjen dhe ofron mbështetje social-ekonomike, trajnime profesionale, si dhe synon fuqizimin ekonomik të pjesëtarëve të familjes nëpërmjet punësimit dhe përkrahjes së ideve të biznesit. Gjithashtu, projekti synon të krijojë një rrjet të qëndrueshëm e bashkëpunues midis partnerëve lokalë e rajonalë, në mënyrë që të lehtësohet koordinimi dhe qasja e shërbimeve, të nxitet punësimi në nivel vendor i të rri-turve dhe të bëhet riintegrimi i fëmijëve në sistemin arsimor.
Gjatë zbatimit të projektit, një vëmendje e veçantë i është kushtuar mbështetjeve integruese për familjet, të rinjtë dhe fëmijët. Në bashkitë Belsh, Cërrik dhe Përrenjas, DA ka mbështetur 95 familje me pako ushqimore e higjienike, si dhe janë mbështetur 7 familje me pajisje elektro-shtëpiake. Ndërkohë 56 familje janë përfshirë në trajnime si: “Fuqizimi i pamjes e botës” apo “Festojmë familjen”, për të bërë një riintegrim sa më të suksesshëm të tyre.
Një fokus mjaft i rëndësishëm kanë qenë edhe fëmijët. Që në prill të këtij viti, 35 fëmijëve u ofrohen orë pas mësimit për riintegrimin e tyre në sistemin arsimor.
Në aspektin ekonomik, projekti do të ofrojë edhe mbështetje për aftësim profesional dhe ndërmje-tësim për punësimin e të rikthyerve si dhe rritje e aftësive sipërmarrëse dhe mbështetje e nismave të vogla të biznesit/start up-eve sipas rasteve.
Aktualisht DA, në kuadrin e një marrëveshjeje bashkëpunimi me Drejtorinë Rajonale të Ofrimit të Formimit Profesional Publik, Elbasan, ka bërë të mundur regjistrimin e disa grave nga bashkia Përrenjas, në kursin profesional të parukerisë dhe në fund do të pajisen me një certifikatë të njohur nga shteti, për të ushtruar profesionin. Grupe të tjera do të ngrihen sipas nevojave në vazhdimësi.
Një element mjaft i rëndësishëm është edhe fuqizimi ekonomik i këtyre familjeve, duke siguruar mbështetjen me trajnime dhe këshillime për të rikthyerit, për përgatitjen e planeve të biznesit për idetë e tyre sipërmarrëse. Në këto takime rreth 32 individë kanë ngritur kapacitetet e tyre për të krijuar një biznes dhe për t’u vetëpunësuar. Aktualisht 6 prej tyre janë mbështetur financiarisht. Gjithashtu, 8 persona, pjesë e projektit të mëparshëm, RE-IN-VEST I, të cilët kanë qenë të suksesshëm në bizneset e tyre, janë mbështetur përsëri për veprimtaritë që kanë krijuar në fushën bujqësisë dhe blegtorisë apo të shitjes me pakicë.
Duke qenë një projekt gjithëpërfshirës, nuk mund të mbeteshin prapa edhe takimet me punonjësit e bashkive, si pjesë integrale e projektit për t’iu ardhur në ndihmë të rikthyerve në komunitetet pritëse.
Ky projekt financohet nga Ministria Federale për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim të Gjermanisë, në kuadër të programit “Rikthim te Mundësitë e Reja”, zbatuar nga GIZ Albania, në partneritet me World Vision Albania.
Projekti dhe veprimtaritë në kuadrin e tij do të zgjasin deri në fund të vitit 2021.

H αναδημοσίευση του παραπάνω άρθρου ή μέρους του επιτρέπεται μόνο αν αναφέρεται ως πηγή το ORTHODOXIANEWSAGENCY.GR με ενεργό σύνδεσμο στην εν λόγω καταχώρηση.
Ακολούθησε το ORTHODOXIANEWSAGENCY.gr στο Google News και μάθε πρώτος όλες τις ειδήσεις.










